Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, në përputhje me Planin dhe Programin e Qendrës së Burimeve për Hartimin e Politikave dhe Buxheteve të Ndjeshme ndaj Gjinisë, më 17 dhjetor 2025 organizoi një trajnim me qëllim forcimin e kapaciteteve për hartimin e politikave dhe buxhetimin e ndjeshëm ndaj gjinisë.
Në kuadër të aktiviteteve u realizua moduli i parë me titull “Trajnim bazë për barazinë gjinore dhe integrimin e perspektivës gjinore në politikat publike”.
Qëllimi i trajnimit ishte që pjesëmarrësit të përfitojnë njohuri bazë mbi konceptet e gjinisë dhe seksit, parimet kryesore të barazisë gjinore, si dhe të identifikojnë dallimet në pozitat e pushtetit në shoqëri që përbëjnë bazë për diskriminim gjinor. Përmes një qasjeje interaktive, pjesëmarrësit u aftësuan të integrojnë perspektivën gjinore në hartimin e dokumenteve strategjike, politikave publike dhe buxheteve, me qëllim adresimin e barabartë të nevojave të grave dhe burrave dhe kontributin në miratimin dhe zbatimin e politikave të ndjeshme ndaj gjinisë.
Trajnimi ishte i dedikuar për nëpunës administrativë me përvojë relativisht të shkurtër pune, si dhe për pjesëmarrës që deri më tani nuk kanë pasur mundësi të njihen me konceptet e barazisë gjinore, por janë të përfshirë në proceset e hartimit të politikave dhe programeve në institucionet e tyre.
Trajnimi u realizua nga punonjës të Njësisë për Politika të Ndjeshme ndaj Gjinisë dhe Buxhetim të Ndjeshëm ndaj Gjinisë pranë Sektorit për Mundësi të Barabarta, si dhe nga nëpunës administrativë – trajnerë për buxhetim të ndjeshëm ndaj gjinisë, të cilët me ekspertizën dhe përvojën e tyre praktike kontribuan në realizimin e suksesshëm të trajnimit.








